Kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të zhvillohet ekspertizë e pavarur për sqarimin e rrethanave që quan në vdekjen e Astrit Deharit, i cili ndërroi jetë të shtunën, në rrethana të paqarta në burgun e Prizrenit.

“Ekspertiza do të hedh dritë mbi vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ajo ka konfirmuar se në ekspertizë po marrin pjesë ekspertët që ka propozuar familja e të ndjerit dhe ekspertë nga misioni i EULEX-it.

Aktivisti i Lëvizjes vetëvendosje, vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren. Ai gjendej në këtë qendër si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në korrik të këtij viti.

Pas konfirmimit të vdekjes, familja e Dehari ka ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, dhe ka kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse./ tvklan.al