Kompania synon të hyjë në tregjet ndërkombëtare

Kryeministrit i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar kompaninë e metalit Ferronikeli në Drenas, duke ofruar përkrahjen e qeverisë, veçanerisht në këtë kohë pandemie.

Tha se Ferronikeli ka rëndësi strategjike për Kosovën për shkak të nivelit të lartë të eksporteve që ka dhe shprehu besimin se drejtuesit e kësaj kompanie kanë përvojën e duhur për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

“Sa na përket neve si qeveri, do të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme në bazë të ligjeve në fuqi për të përkrahur këtë kompani”.

Drejtuesi i kompanisë, biznesmeni Samir Mane garantoi se Ferronikeli do të bëjë gjithçka për të hyrë në tregjet ndërkombëtare edhe pse situata nuk është e favorshme.

“Koha nuk është më e mira për Ferronikelin, padyshim ne do të bëjmë atë që na takon neve për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare. Çmimi për momentin është i ulët por besoj që ekonomia botërore do të ngrihet”.

Ferronikeli është kompania më e madhe eksportuese e metaleve në Kosovë, e privatizuar në vitin 2006.

Tv Klan