Hiqet ora policore, hap kufijtë dhe barët

Karantina shtetërore zëvendësohet me izolim shtëpiak, nëse prezantohet testi negativ-PCR, jo më i vjetër se 72 orë, para se të hyjnë në Territorin e vendit, tha Kryeministri Spasovski duke shtuar se nga sot personat që janë në karantinë shtetërore mund ta bëjnë testin PCR dhe nëse rezultojnë negativ do të dërgohen në izolim shtëpiak. Ai tha se së shpejti udhëtimi në rajon do të jetë në interes të qytetarëve.

 “E obliguam Komisionin për Sëmundje Ngjitëse pranë MSH-së të bëjë vlerësime të qarta dhe të sakta për hapjen e kufijve shtetëror si dhe të përgatisin protokolle përkatëse për hyrje dhe dalje nga RMV-ja. Këtë vendim e marrim në koordinim të përbashkët me vendet e rajonit dhe me secilin shtet kemi komunikim të shkëlqyeshëm që paralajmëron se udhëtimi në rajon do të rregullohet në interes të qytetarëve”

Zv/Kryeministri Bujar Osmani tha se vendimi për zbutjen e masave nuk është marrë ad-hoc dhe nga presione të ndryshme, por siç tha, në bazë të analizave nga autoritetet shëndetësore. Ai falenderoi qytetarët për zbatimin e masave restriktive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se 3 muaj pas paraqitjes së rastit të parë me Covid-19, vendi tani gjendet në një kryqëzim, se si të veprohet më tej. Ai ka lënë të kuptohet se një pjesë e qytetarëve kanë qenë të disiplinuar, por ka të atillë që nuk i respektojnë të njëjtat dhe nuk besojnë se virusi ekziston.

“Është fakt se virusi nuk do të largohet do të jetë këtu. O të duhet të mësohemi të jetojmë me virusin dhe këtë janë duke e bërë edhe shumë vende të botës, por duhet të mbrohemi. Për këtë shkak lirimi i masave restriktive shkon së bashku me të ashtuquajturat masat e buta.

Duke elaboruar situatën me koronavirusin dhe menaxhimin e situatës nga autoritetet e vendit, Dr. Zharko Karaxhoski nga ISHP-ja, për periudhën e ardhshme, tërhoqi vërejtjen se zbutja e masave nuk do të thotë se nuk duhet të zbatohen masat restriktive.

 “E përsëris, beteja nuk ka përfunduar. Masat preventive që i kemi propozuar, distancimi social, jo distancimi në kuptimin sociologjik, por distancimi fizik prej dy metrave duhet të jetë e pranishme në periudhën e ardhshme, gjithashtu mbajtja e maskës mbrojtëse, por edhe atë që shpesh e themi-dezinfektimi dhe larja e shpeshtë e duarve”.

Me vendim të Qeverisë nga nesër shfuqizohet ora policore, kurse nga 28 Maji fillojnë me punë objektet hotelerike me protokolle për punë nëpër tarraca, kurse veprimtaria në pjesët e mbyllura të lokaleve do të rregullohet në fazën e ardhshme. Qeveria gjithashtu vendosi që nga 1 Qershori shfuqizohet edhe lirimi nga puna, puna nga shtëpia si dhe organizimi i punës me rotacione. Ky shfuqizim do të përcillet me protokoll përkatës për punë në kushte hapësinore si dhe për pajisjet personale mbrojtëse. 

Tv Klan