“48 orë kohë për emrin e kryeministrit të ardhshëm”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas ftesës së tretë të kreut të shtetit për formimin e qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale pas përfundimit të takimit, Thaçi deklaroi se i ka dhënë edhe 48 orë kohë shtesë Kurtit për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër për shkak se sot, kreu i LVV-së nuk ishte i gatshëm të ofronte një propozim.

“Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, tha Thaçi.

Kurti i refuzoi dy takimet e para të thirrur nga Thaçi në Dhjetor ndërsa u shpreh i hapur për një takim pas vitit të ri.

Takimi vjen në një moment kur mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka ende një marrëveshje për të qeverisur së bashku. Pak para takimit lideri i Vetëvendosjes bëri publik emrat e ministrave nga radhët e partisë së tij për qeverinë e re të Kosovës.

Në një video-mesazh Kurti i bëri ftesë LDK-së së Isa Mustafës që t’i dërgojë emrat e ministrave të tjerë të kabinetit që do të plotësohen prej tyre, si dhe të zv/Kryeministrit të parë.Ajo që binte në sy ishte Ministria e Brendshme, të cilën Albin Kurti duket se ia ka lënë LDK-së./tvklan.al