Dy partitë, LSDM-ja dhe BDI-ja, përveç se “harmonizojnë programet” siç thuhet në njoftimet e partive, si duket përpiqen në mënyrë të veçantë që në opinion të mos dalin detaje për takimet e tyre, këtë fundjavë në nivel të sekretarëve të përgjithshëm.

Çfarë është e saktë në tryezën në të cilën do të duhet të ulen Lupço Nikolovski nga LSDM-ja dhe Artan Grubi nga BDI-ja, për momentin mbetet pas dyerve të mbyllura, ndërsa në njoftimin e përsëritur të partisë së ish-kryeministrit Zoran Zaev edhe sot thuhet: “Vazhdon procesi i rishikimit të ndarjes së përgjegjësive në koalicionin e ardhshëm si dhe i propozimeve për kuadro të përshtatshme, të përgatitura, të ndershme dhe të afta që do të munden në tërësi ta realizojnë programin”.

Edhe nga BDI kanë dalë me qëndrim të njëjtë: “Takimet konstruktive të punës midis LSDM-së dhe BDI vazhdojnë edhe sot, në nivelin e sekretarëve të përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të një qeverie të qëndrueshme që në një mandat të plotë katër vjeçar do të
ofrojë dhe të arrijë të gjitha shërbimet dhe qëllimet e pritura të qytetarëve”.

Derisa LSDM përsërit se bëhet fjalë për mandat të ri të plotë 4-vjeçar, opozitarja VMRO-DPMNE çdo ditë bën presion, se të drejtën për të negociuar për formimin e qeverisë Zaev e mori nga Presidenti i shtetit në mënyrë jokushtetuese. 

“Pikërisht ashtu, që dje dolëm me informacionin se mendojmë për dorëzim të iniciativës kushtetuese sepse praktkisht Stevo Pendarovski e ka uzurpuar mandatin te një deputet që nuk ka shumicë. Në ditët në vijim do t’i bëjmë të ditur hapat e radhës”. 

Deri në përfundimin e afatit prej 20 ditësh për formim të qeverisë, opinioni shpreson se do të kuptojë më shumë për atë nëse LSDM-ja dhe BDI-ja vërtetë zhvillojnë bisedime konstruktive për zgjidhje kadrovike qeveritare cilësore ose negociatat kanë ngecur në kërkesën e BDI-së dhe kundërshtimin e LSDM-së që në një pjesë të mandatit të kryeministrit të jetë një shqiptar në krye të qeverisë.

Klan Macedonia