Qeveria e re nën drejtimin e Kurtit dhe Osmanit

Qeveria e re nën drejtimin e Kurtit dhe Osmanit

15:35 07/10/2019

Ku ndahen dhe bashkohen dy fituesit e zgjedhjeve

Zgjedhjet e të dielës në Kosovë hapin një epokë të re për shtetin e Kosovës me fitoren e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Qeveria e re, me gjasë do të jetë e para në historinë e pasluftes që s’do të ketë në përbërje të saj ish-anëtarë të UÇK-së.

Lideri i Vetëvendosjes, partisë që ka fituar më shumë vota dhe kandidatja e LDK-së për Kryeministre, i lëshuan sinjalet e para për bashkëpunim menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake.

Por sa do të jenë në gjendje për të bashkëjetuar në të njëjtën qeveri?

Të dy janë kontribues në procesin e Pavarësisë dhe ndryshimeve në Kosovë dhe të dy kanë një qajse thuajse të njëjtë për nevojën e forcimit të institucioneve dhe kundër kapjes së tyre nga politika.

Por teksa karriera e Albin Kurtit është e shenjuar nga aksione ekstreme kundër qeverive të Kosovës dhe Beogradit, i arrestuar edhe ai vetë disa herë për dhunë në rrugë e në Parlament, ylli në ngjitje i Vjosa Osmani ka njohur një rrugë diametralisht të kundërt.

Ajo është shprehur publikisht kundër dhunës së Vetëvendosjes në Parlament, kundër polarizimit të politikës dhe pro zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike me anë të dialogut.

Përsa i përket qëndrimit ndaj Serbisë, 44-vjeçari i lindur në Prishtinë dhe 37-vjeçarja e lindur në Mitrovicë, qëndrojnë në të njëjtën llogore, marrëdhënia duhet të jetë në bazë të reciprocitetit dhe korrigjimi i kufirit nuk do të jetë në tryezën e dialogut.

Ndërsa 44 – vjeçari i  lindur në Prishtinë, i diplomuar për shkenca kompjuterike dhe telekomunikacioni në Universitetin e Prishtinës, që krijoi në vitin 2005 lëvizjen me profil nacionalist, shpesh e sheh Kosovën të pandarë nga Shqipëria dhe në tubimet e Vetëvendosjes, siç ishte edhe festa e një nate më parë për fitoren, aktivistët e Vetëvendosjes valëvitin flamurin kombëtar.

Edhe pse me qëndrime ekstreme, partia e tij ka njohur rritje që nga themelimi. Në Parlament mundi të hyjë për herë të parë në vitin 2010, pasi fitoi mbi 12% të votave. Në kuvendin e shkuar pati 26 deputetë.

Tani ka 5 vende më shumë, edhe pse u përça vitin e kaluar me largimin e ish – kryetarit Visar Ymeri dhe kryebashkiakut të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ndërsa Vjosa Osmani ka shënjuar një karrierë thuajse diametralisht të kundërt dhe pse ylli i saj ka qenë gjithnjë në ngjitje ashtu si ai i Albin Kurtit.

Një juriste me doktoraturë nga Universiteti i Pitsburgut në SHBA, 37-vjeçarja ka qenë pjesë e ekipit të avokatëve që mbrojti Pavarësinë e Kosovës në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.

Më 27 Gusht të vitit 2009 ajo u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Eshtë zgjedhur për 3 mandate radhazi deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.

Në dy zgjedhjet e fundit është renditur deputetja grua më e votuar në Kosovë.

Tv Klan


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori