Nismat ligjore do miratohen me procedurë të përshpejtuar

Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, qeveria në Maqedoninë e Veriut miratoi pesë propozim ligje që synojnë të zgjidhin të gjitha pengesat proceduriale për ndërtimin e Korridori 8 dhe 10D. Dhe për të shmangur zvarritjen e miratimit të tyre në Kuvend, ekzekutivi vendosi që t’i kalojë ato flamur të Bashkimit Europian apo siç njihet ndryshe me procedurë të përshpejtuar.

“Duke parë bllokimin e qartë dhe pengmarrjen e ligjeve nga opozita dhe duke marrë parasysh interesat e qytetarëve, Qeveria miratoi pesë propozimligje që do t`i dorëzojë në Kuvend. Duke marrë parasysh se BE-ja, në hartën e korridoreve e vendosi Korridorin 8 dhe rëndësinë e saj gjeostrategjike, bashkë me Korridorin 10D, si dhe për shkak të debatit të gjatë në opinion, vendosëm që ligjet të propozohen me flamur evropian”, tha Grubi.

Një nga projektligjet e miratuara bën ndërhyrje edhe në procedurën e shpronësimit të pronave, duke përjashtuar nga procesi ndërtimet e palegalizuara.

“Nuk do të ketë shpronësim të ndërtimeve të jashtëligjshme. Familjeve që jetojnë në ato objekte, do t`u mundësohet, nëse nuk e kanë të përfunduar procedurën e legalizimit, të strehohen me qira në objekt tjetër”, u shpreh Fatmir Besimi, ministër për Financa.

Sipas ndryshimeve të propozuara në Kuvend, do të ndryshohen edhe ligjet për tokën bujqësore, planifikimin urbanistik, lëndët minerale dhe ligjet për pyjet dhe për ndërtimin.

Projekti për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D do të kushtojë 1.3 miliardë Euro dhe duhet të përfundojë për 4 vite e shtatë muaj nga data e nisjes së punimeve.

Tv Klan