Ministria e Turizmit ka gati projektin për dixhitalizimin e të dhënave të sistemit të turizmit. Në këtë program që u prezantua gjatë takimit që kryeministri dhe ministrja Kumbaro zhvilluan me hotelierët e qytetit të Durrësit parashikohet krijimi i një Regjistri Qëndror i Turizmit ku përfshin të gjitha shërbimet në këtë fushë, certifikimi dhe regjistrimi i i sipërmarrjeve në këtë sektor.

Po ashtu parashikohet krijimi i platformës eVisitor, për regjistrimin e klientëve të gjithë strukturave akomoduese çka rrit të ardhurat e bashkive nga taksa e qytetit po ashtu krijohet dhe Sistemi i të dhënave në turizëm.

“Sistemi i ri futet tani në funksion avash avash. Nuk mund t‘i vinim më para se do të mbysnim edhe 5 veta që punonin, por tani i ka ardhur koha”, tha Rama.

Kryeministri Rama ju kujton se ulja e TVSH në 6 përqind për sektorin e turizimit ndryshe nga sa premtuan aktorët e tij nuk u përkthye në formalizim. Ndaj ai kërkon nga sipërmarrësit në turizëm të pranojnë ofertën e qeverisë për taksat në mënyrë që të shmangin kontrollet tatimore.

“Të paguajnë një kontribut tatimor fiks bazuar mbi përqindjet e pikut dhe dimrit. Shpëton nga çdo lloj investimi”, thekson Rama.

Për sipërmarrësit e mëdhenj qeveria ofron paqe fiskale.

“Do t’i ofrojmë të gjithë biznesit mundësinë që të paguajë mbi bazën e një kalkulimi paraprak që do të thotë kalkulohen të ardhurat e paguara vjet, rritja ekonomike sivjet. Bëhen dy fasha, një fashë deklarimi i të ardhurave të vitit, një fashë deklarimi i çfarë ka mbetur nëpër jastëk”, tha Rama.

Ai kërkon bashkëpunim nga sipërmarrësit për ta çuar në një tjetër nivel turizimin vendas, që mos të synojë thjeshtë më shumë numra, por më shumë cilësi. Dhe hapi i parë nga ana e tyre ai mendon se duhet të jetë rritja e pagave të punonjësve.

“Të mos hezitoni të rrisni pagat edhe më shumë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ndërsa nga ana e saj qeveria premton se do të ketë më shumë investime në infrastrukturën e qyteteve bregdetare. Një prej tyre është dhe projekti që ka nisur në Durrës për zgjerimin e hapësirës ranore me 100 metra.

Tv Klan