Pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë gjerman, Kancelari i ardhshëm, Olaf Scholz beson se liderët janë të përgatitur për të menaxhuar pandeminë e koronavirusit. Scholz deklaroi se janë marrë vendimet e duhura dhe ripohoi se udhëheqja është e pranishme.

Prioritet i qeverisë së re mbetet vaksinimi dhe ngritja e një shtabi krizash pasi vendi po përballet me një rritje të rasteve pozitive. Olaf Scholz ka hedhur poshtë akuzat se ka reaguar shumë vonë ndaj rritjes së infektimeve të reja dhe se qeveria e ardhshme ende nuk  ka emëruar një Ministër federal të Shëndetësisë. Sipas tij në fillim të javës së ardhshme do të bëhet e qartë se kush do të jetë  në kabinetin e socialdemokratëve. Para fillimit të vitit parlamenti do të votojë lidhur me çështjen e shumëdiskutuar, atë të vaksinimit të detyrueshëm.

Planet e federatës dhe landeve janë që të nisin një ofensivë të re vaksinimi deri në Krishtlindje. Deri atëherë nevojiten deri 30 milionë vaksinime shtesë në formën e përforcuesve.

Qeveria e re pritet të marrë masa më të rrepta pasi të pavaksinuarit do te përballen me kufizime të mëtejshme. Në zonat ku incidenca është e lartë, klubet, diskotekat dhe objekte të tjera të ngjashme do të mbyllen.

Klan News