Qeveria greke miratoi dhënien me koncension të një tjetër porti të rëndësishëm të vendit. Bëhet fjalë për atë të Selanikut, që do të shkojë nën administrimin e përbashkët të një konsorciumi të përbërë nga 3 kompani, një gjermane, një franceze dhe një greke.

Fondi grek i privatizimeve njoftoi se kompania gjermane Deutsche Invest Equity Partners, francezja Terminal Links dhe Belterra Investments do të administrojnë 67% të aksioneve të portit të Selanikut, i dyti më i madh i vendit që jepet me koncension, pas atij të Pireut.

Vlera e koncensionit arrin në 232 milionë euro dhe sipas kontratës, konsorciumi duhet të investojë 1.1 miliardë euro për modernizimin e portit. Kontrata përfundon në vitin 2051.

Ministri grek i financave Euklidis Cakalotos tha se porti i Selanikut është pjesë e paketës më të fundit të koncensioneve, prej të cilës u janë dhënë nën administrim privatëve edhe disa aeroporte rajonalë të vendit. Përmes këtyre koncensioneve synohet që buxhetit ti shtohen 1.3 miliardë euro të ardhura nga privatizimet.

Qeveria Aleksis Ciprasit ishte kundër privatizimit të aseteve publike kur ishte në opozitë. Por u detyrua të zbatojë me kërkesë të kredidhënësve ndërkombëtare, që financojnë masat e ashpra për nxjerrjen e ekonomisë greke nga kriza që e përfshiu prej vitit 2010./ABCNEWS