Qeveria greke ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë. “Na

pret një punë shumë e madhe, por kam besim absolut në kapacitetet tona për të

ndryshuar Greqinë”, theksoi Kyriakos Mitsotakis në fjalimin e tij të parë si

kryeministër.

“Kërkuam mandat të fuqishëm dhe qytetarët na e dhanë me bujari. Tani erdhi momenti të bashkojmë grekët në një vizion prosperiteti. Puna ka filluar”, shtoi kreu i qeverisë së re greke.

Mitsotakis paraqiti 12 prioritetet e kabinetit të tij, ku

i pari është arritja e ritmeve të larta të zhvillimit ekonomik, përmes shtimit

të investimeve dhe krijimit të vendeve cilësore të punës.

Siguria për qytetarët, kohezioni social dhe solidariteti

për shtresat në nevojë, si dhe një sistem arsimor bashkëkohor, janë sipas

radhës prioritetet kryesore.

Mitsotakis tha se një nga dy projektligjet e para që do

të paraqiten, është ai për uljen e tatimeve për qytetarët dhe biznesin.

I vetëdijshëm se qytetarët e votuan pse shpresojnë në një

të ardhme më të mirë ekonomike, Mitsotakis do të përpiqet që të realizojë

shumicën e premtimeve të veta. Por nuk mjafton vetëm vullneti i tij. Mjaft prej

objektivave ambiciozë duhet të kalojnë barrierën e kufizimeve të vendosura nga

kreditorët, që vazhdojnë të vlejnë, pavarësisht ndryshimit të qeverisë.

Mitsotakis do të kërkojë të bindë kreditorët për nevojën e ndryshimit të disa

kushteve të rrepta. Mirëpo kreditorët insistojnë se kushtet janë të

panegociueshme.

Mitsotakis u ka dhënë gjithë ministrave nga një dosje blu. Sipas një shënimi që ai publikoi në rrjetin social Facebook, dosja përmban objektivat për çdo ministri deri në muajin dhjetor. Nga sot ndryshon tërësisht modeli i qeverisjes, shkroi Mitsotakis.

Tv Klan