Mesa duket Edi Rama e ka ndarë mendjen dhe burime nga mbledhja e qeverise që u zhvillua për miratimin e projektbuxhetit 2018, konfirmojnë se Akademia e Shkencave nuk do të marrë asnjë qindarke për vitin e ardhshëm.

Fondi që për vitin 2017 ishte 112 milionë lekë, dhe që për 2018 është parashikuar në 110 milionë lekë do të shkojë për rivitalizimin e Bibliotekave Shkencore të Universiteteve.

Të njëjtat burime nga qeveria thonë se bibliotekat e universiteteve do të përfshihen në rrjetin evropian të shërbimeve online për botimet shkencore.

Me një pagesë vjetore prej 600 mijë dollarësh si pedagogët dhe studentët do të jenë pjesë e këtij rrjeti dhe do të mund të informohen mbi çdo kërkim të fundit shkencor. Një pjesë e këtij fondi që i hiqet Akademisë së Shkencave do të shfrytëzohet për nisjen e programit “Anglisht për të gjithë”. Për çdo student, pedagog apo për nxënësit e komunitetit afër Universiteteve do të zhvillohen kurse pa pagesë.

Pas 45 vitesh ekzistencë, kjo është hera e parë që institucionit kombëtar të kërkimit shkencor i hiqet buxheti, që përbën edhe të ardhurën kryesore për funksionimin e mëtejshëm.

Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi këtë në ditën e zgjedhjes së kryetarit të ri të Akademisë Shkencave. Ai e quajti procesin një farsë.

Kur kanë kaluar 53 ditë nga zgjedhja e Gudar Beqiraj në krye të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës ende nuk e ka dekretuar atë.

Burime nga presidenca thanë për Televizionin Klan se nuk ka asnjë vendimmarrje të Kreut të Shtetit dhe se për dekretimin ose mos-dekretimin nuk ka një afat ligjor.

I kontaktuar nga Tv Klan, kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, tha se është në pritje të dekretit.

Aktualisht i vetmi preson i cili ka të drejtë vendimmarrje në Akademinë e Shkencave është Sekretari Shkencor Vasil Tole, pasi edhe vendi i zv/kryetarit është vakant pas dorëheqjes së nënkryetarit Myzafer Korkuti. Vendimi i qeverisë për të mos mbështetur financiarisht Akademinë e Shkencave do të ri-ndezë debatin mbi këtë institucion.

Tv Klan