Kuvendi voton 1 miliardë lekë shtesë për organizimin e zgjedhjeve

Zgjedhjet parlamentare në 25 Prill do të jenë më të kushtueshme se asnjëherë më parë. Pas fondit për partitë politike, qeveria shqiptare i kalon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.42 miliardë për procesin e identifikimit biometrik.

“Është akomonduar fondi shtesë prej 2.42 miliardë lekë në programin përkatës të KQZ, për financimin e projektit “Identifikimi Elektronik i Zgjedhësve”, për implementimin në zgjedhjet e 25 Prillit. Lidhur me fondin rezervë të këshillit të ministrave është reflektuar një rritje prej 1 miliardë lekë në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve dhe kodi zgjedhor.” tha ministrja Anila Denaj.

Identifikimi biometrik do të mundësojë për herë të parë në Shqipëri që votuesit të identifikohen nëpërmjet një pajisje teknologjike, duke shmangur votimin e dyfishtë. Deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Smartmatic”. Shpenzimet për procesin zgjedhor priten të rriten edhe për projektin pilot për votimin dhe numërimin elektronik që do realizohet vetëm  në njësinë 8 në kryeqyet.

Në ndryshimet e buxhetit 2021 që u votuan këtë të hënë në Kuvend, parashikohet dhe një tjetër rritje për fondet ndaj KQZ, një shumë prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të kodit zgjedhor. Këto ndryshime morën votën pro të 83 ligjvënësve.

Klan News