Qeveria italiane është zyrtarisht në krizë. Lideri i Partisë Italia Viva, Matteo Renzi, njoftoi pasditen e kësaj të mërkure dorëheqjen e dy ministrave të tij, Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti, si dhe nënsekretarit Ivan Scalfarotto.

“Po jetojmë një krizë të madhe politike. Përballë kësaj krize, sensi i përgjegjësisë është ai për të zgjidhur problemet, jo për t’i fshehur. Kriza politike nuk nisi nga Italia Viva, është këtu prej muajsh”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Me dorëheqjen e dy ministrave nga koalicioni qeverisës, Italia pritet të bjerë sërish në kaos politik, kjo pasi qeveria ngelet pa mazhorancë në parlament.

Mbështetja e partisë së Renzit ishte kritike për mbijetesën e koalicionit të udhëhequr nga Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike.

Më herët gjatë kësaj të mërkure, Kryeministri Giuseppe Conte tha se shpresonte që Renzi nuk do t’i tërhiqte ministrat nga kabineti qeveritar, duke paralajmëruar se vendi nuk do të ishte në gjendje të kuptonte përse qeveria kishte rënë, në një kohë kur përballet me krizë shëndetësore.

Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike i bënë thirrje Renzit që të ruante unitetin e qeverisë, në një kohë kur vendi po përpiqet që të vaksinojë shtetasit e tij dhe të parandalojë degradimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Shkak për përplasjet brenda qeverisë duket se është bërë plani për rimëkëmbjen. Drafti ka shkaktuar përplasje mes partive në koalicion./tvklan.al