Në Angli mund të luhet në fusha neutrale

Prej kësaj të hëne futbollistëve në Italia do t’u lejohet të stërviten individualisht në ambiente të hapura. Klubet e Serie A po bëjnë presion ndaj organeve qeveritare në mënyrë që t’u bëhet e mundur zhvillimi i ndeshjeve të mbetura, por ende nuk ka një datë.

Për më tepër në një postim të tijin në rrjete sociale, Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora, ka deklaruar se para 18 Majit nuk do të nisin stërvitjet me grupe, ndërsa për rifillimin e kampionatit as që bëhet fjalë.

Në Angli, klubet një pjesë e klubeve të Premier League po bien dakord që ndeshjet e mbetura të zhvillohen në 8 ose 10 stadiume. Janë ende 92 takime për t’u luajtur dhe impiantet që do të përzgjidhen duhet të jenë sa më larg qendrave të banuara.

Por gjashtë klube të Premier League, Brighton, West Ham, Bournemouth, Watford, Norwich dhe Aston Villa nuk dëshirojnë të luajnë në fusha neutrale. Madje këto klube kanë kërcënuar edhe me një bojkot të mundshëm nëse zbatohet ky plan.

Bundesliga në Gjermani është gati për të rifilluar. Kjo edhe për faktin se testet e koronavirusit që u janë kryer lojtarëve të tyre, kanë rezultuar negative. 14 nga 18 skuadrat mund të vazhdojnë qetësisht punën e tyre pasi kanë marrë “ok” nga autoritetet shëndetësore. Të gjitha klubet kishin kryer testet e para të enjten dhe prisnin përgjigjet gjatë fundjavës.

Në përbërjen e tyre nuk ka për momentin lojtarë apo staf të infektuar me virusin e rrezikshëm. Edhe 2 të dyshuar në radhët e Këln kanë rezultuar negativë dhe vetëm 1 rast është pozitiv, por asimptomatik dhe nuk është futbollist.

Vetëm në Spanjë askush nuk flet për futbollin pasi numri i të infektuarve është ende i madh, sikurse edhe numri i viktimave nga koronavirusi.

Tv Klan