Rama: Preken vetëm pagat e ministrave dhe deputeteve

“Do të jepja me kënaqësi gjithçka kam, që të mos isha unë këtu sot përpara jush!” Edi Rama zgjodhi fjalët e Zv/Presidentit amerikan Lindon Johnson kur lajmëroi popullin amerikan për vrasjen e Presidentit Kenedi, për të treguar pozitën e vështirë ku ndodhet si kreu i qeverisë në momentin që i duhet të prezantonte planin ekonomik të diktuar nga pandemia e koronavirusit. Për këtë plan me 7 pika qeveria ka parashikuar lëvrimin e 220 milionë dollarëve.

1) 2.5 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore.

2) 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë, përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve.

3)  6.5 miliardë lekë, ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate: Për shtresat më në nevojë; Për biznesin e vogël; Për papunësinë e mundshme për shkak të luftës

4) 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë, që vihet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për Operacionin Humanitar.

5) 1 miliardë lekë, ose 10 milionë dollarë, si fond rezervë për Këshillin e Ministrave, për çdo urgjencë të paparashikueshme.

Pjesë e planit është edhe falja e kamatëvonesave për debitorët e energjisë elektrike, riskedulim i pagesës së TVSH për biznesin e vogël dhe shtyrje të bilanceve vjetore. 

“Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 mijë e 24  abonentë. Do të riskedulojmë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim, tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë, ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro. Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.

Rama siguron se nuk do të ketë asnjë prekje të pagave, përveç përgjysmimit të asaj të ministrave dhe deputetëve ndërsa një falenderim e bëri për Presidentin Meta.

“Nuk do të prekim hëpërhë, asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës. Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës, të cilit haka e do që t’i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet, apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë”.

Nuk pati të njëjtin vlerësim për kreun e opozitës.

“Kjo kohë e mallkuar që vetëm Zoti e di sa do të zgjasë, nuk ka asnjë lidhje me kohën e një programimi nga qeveria të të ardhurave, ku parashikohen me optimizëm të ardhurat që do të hyjnë në shtëpinë tonë të përbashkët nga puna e secilit e lëre më pastaj me kohën e kacafytjeve vulgare politike të paqes së zhurmshme shqiptare, ku veshët tuaj batërdisen me lloj-lloj platformash opozitare që e kthejnë detin në kos!”

Rama e nënvizon ky plan është i kufizuar nga mundësitë e buxhetit të Shqipërisë dhe asesi s’mund të krahasohet me ato të vendeve të zhvilluara, ndërsa kujton se në këtë luftë çdo shtet lufton i vetëm. Ajo që vazhdon të përsërisë në çdo dalje është respektimi i masave të vendosura për të dalë nga kjo luftë me sa më pak viktima.

Tv Klan