Ahmetaj: Ndërtimi i banesave individuale përfundon brenda vitit

Javën e ardhshme do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e 3400 shtëpive në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit për tipologjinë banesave individuale.

Këshilli i Ministrave kaloi fondin prej 73 milionë Eurosh i cili do të prokurohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës.

Janë 2500 banesa të cilat do të ndërtohen në qarkun e Lezhës dhe Durrësit të ndara në kategori 1+1, 1+2 dhe 1+3 dhe 889 shtëpi për të cilat do të nisë ndërtimi në Qarkun e Tiranës.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se për 4 mijë familje, nata e ndërrimit të vitit në 2021 do t’i gjejë ata në shtëpinë e re.

Instituti i Ndërtimit përfundon ekspertimin e shtëpive jashtë kryeqytetit më 30 Mars, ndërsa Bashkia e Tiranës e përfundon më 23 Prill. Njëkohësisht Komiteti i Rindërtimit dhe Bashkitë po përgatitin planet e detajuara vendore të cilat do t’i hapin rrugë nisjes së punimeve për pallatet të cilët do të strehojnë të prekurit e tërmetit në zonat urbane.

Tv Klan