Qeveria shqiptare kërkon 71 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore për investime në turizëm dhe zhvillimin urban, në katër qendra në jug të Shqipërisë. Kërkesa për financim është hartuar në një project nga Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Urban.

Nëse qeveria merr aprovim nga Banka Botërore për kërkesën për kredi, atëherë sipas projektit, paratë do të investohen në katër qendra turistike në jug; në Berat, Sarandë, Gjirokastër dhe Përmet.

Konkretisht investimet do të përqëndrohen në përmirësimin e hapësirave publike, si parqet, sheshet e qytetit, infrastruktura rrugore, restaurimin e ndërtesave të përzgjedhura të trashëgimisë kulturorore , zhvillimin e tregjeve turistike, rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë.

Në jug të Shqipërisë sipas qeverisë, ka një sërë pengesash që parandalojnë realizimin e plotë të potencialit ekonomik. Infrastruktura urbane është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e banorëve dhe kërkesat në rritje të turizmit. Asetet ekzistuese sipas projektit, janë përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Si pengesë tjetër renditet edhe përqendrimi në periudha të shkurtra kohore i aktiviteteve të turizmit dhe mungesa e larmishmërisë së tyre.

Për këtë arsye investimet e planifikuara, sipas qeverisë  synojnë që të përmirësojnë infrastrukturën urbane në katër qendrat turistike në jug, të rrisin asetet turistike,  dhe të rrisë numrin e turistëve që vizitojnë këto vende.

Ky projekt është pjesë e strategjisë së hartuar nga qeveria shqiptare dhe banka botërore në vitin 2014 dhe pritet të merret në shqyrtim nga kjo e fundit,  në Nëntor  të këtij viti.

Tv Klan