Fond edhe për të rekrutuar studentë të vitit të fundit në Mjekësi

Qeveria shqiptare i është drejtuar me një kërkesë Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në kushtet e emergjencës nga pandemia e Covid-19, për të marrë 15 milionë euro hua për të përballuar situatën e krijuar.

Ministria e Financave dhe përfaqësia e Bankës Botërore kanë arritur të finalizojnë një marrëveshje në muajin Tetor, e cila i lejon Shqipërisë që të bëjë tërheqje deri në 6 milionë euro për shpenzime të domosdoshme edhe për fatura përpara nënshkrimit të saj, por jo përpara datës kur janë shfaqur fillimisht rastet e para të Covid.

Paratë do të shkojnë për fuqizimin e kapaciteteve të laboratorëve që kryejnë testimet, për kryerjen e punimeve civile brenda spitalit infektiv dhe rritjen e shtretërve në repartin e reanimacionit.

Një tjetër fond do të shfrytëzohet për mobilizmin e profesionistëve në fushën e shëndetit që nuk punojnë në sektorin publik si dhe angazhimin e studentëve të vitit të fundit të mjekësisë për të ofruar shërbimet klinike.

Huaja do të japë mbështetje financiare edhe për zhvillimin e sistemeve teknologjike për kryerjen e konsultave mjekësore në distancë përmes telefonit ose platformave kompjuterike për rastet që nuk paraqiten të rënduara. 

Tv Klan