7 ditë karantinë dhe bllokim për maunet

Lajmi i dhënë nga kryeministri i Kosovës se do të hapen kufijtë ka bërë që shumë qytetarë të Shqipërisë t’ia mësyjnë Kosovës. Kufiri ishte i hapur edhe për ta që në mesnatë. Deri rreth orës 13:00 qytetarët kaluan kufirin pa asnjë problem.

Pastaj për një kohë gjithçka u ndërpre dhe u krijuan radhë të gjata. U tha se policia kufitare e kishte keqkuptuar vendimin e qeverisë dhe duhej të respektonte vendimin e marrë një ditë më parë se qytetarët e Shqipërisë sikurse të Kosovës të cilët futen në Kosovë duhet të dëshmojnë se kanë bërë testin për koronavirus jo më larg se 4 ditë më parë në të kundërtën duhet të futen në karantinë dhe nuk mund të kthehen në Shqipëri pa u bërë 7 ditë.

Policia nuk ka dhënë sqarime, por vetëm është përgjigjur se detyrat i realizon konform autorizimeve ligjore dhe vendimeve të institucioneve kompetente. Qytetarët në shenjë pakënaqësie protestuan për një kohë në këtë pikë kufitare. Por qytetarët e Kosovës udhëtuan lirshëm drejt Shqipërisë pa asnjë problem.

Importuesit e mallrave nga Shqipëria kanë protestuar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të paguar 22 euro për dezinfektimin e mauneve. Sipas tyre kjo është e panevojshme.

Edhe ky vendim kishte krijuar radhë të gjata në kufi. Pas presionit qytetar, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka pezulluar kontratën për dezinfektimin e mauneve.

Kufiri Kosovë-Shqipëri ishte mbyllur në muajin Mars me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Tv Klan