Parlamenti i Shqipërisë miratoi të enjten e kaluar ndryshimet në Kodin Penal për individët dhe bizneset të cilët dënohen nga gjobë deri me burgim nëse thyejnë rregullat e karantinës gjatë periudhës së pandemisë.

Por në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të policisë, një tjetër situatë ndodh në Aeroportin e Rinasit.

Drejtuesi ekzekutiv i TIA (Tirana International Airport), gjermani Constantin Alvensleben, i detyron bizneset në terminalin e aeroportit që të qëndrojnë hapur, pavarësisht kufizimeve ligjore.

Më 12 Mars 2020, dyqanet që operojnë në Aeroportin e Rinasit u mbyllën pasi morën urdhër nga Policia e Shtetit në kuadër të situatës së pandemisë COVID-19.

Por në të njëjtën datë, me anë të një shkrese, koncesionari i aeroportit të Rinasit u rikujtoi këtyre bizneseve kontratën që i detyron të qëndrojnë hapur në shkelje të vendimit të policisë dhe qeverisë.

Emisioni “Stop” i disponon këto shkresa, ku faktohet komunikimi i drejtorit ekzekutiv Constantin Alvensleben me dyqanet që funksionojnë në terminalin e aeroportit. /tvklan.al