Shkolla ushtron aktivitetin prej 26 vitesh në Shqipëri

Mbyllet shkolla “Mehmet Akif” që zhvillonte aktivitetin e saj në Tiranë. Vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave përcakton mbylljen e veprimtarisë së këtij institucioni arsimor paraunviersitar, i cili zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.

Sipas vendimit të qeverisë, vetë shkolla “Mehmet Akif” ka detyrimin të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, i cili do të shërbejë për transferimin e nxënësve në një institucion tjetër arsimor. Gjithashtu shkolla ka detyrimin të mbulojë shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, si dhe të kthejë pas pagesat e kryera nga prindi për nxënësit.

Në një reagim të sajin, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi thekson se vendimi i qeverisë lidhet me tre arsye.

“Shkolla ka filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet”.

Ministrja thekson se Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Për të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të merren të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Dyshohet se kjo shkollë financohet nga organizata FETO e Fetullah Gulen, e shpallur si një organizatë terroriste nga qeveria turke, pavarësisht se ministrja e mohon se vendimi i qeverisë lidhet për këto arsye. Në dy vizitat e tija në Shqipëri, në vitin 2015 dhe në Janar të 2022, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i ka kërkuar hapur qeverisë shqiptare goditjen e çdo shfaqje të organizatës FETO në Shqipëri, përfshi këtu edhe institucionet arsimore të financuara prej saj.

Tv Klan