188 maturantë në të gjithë arsimin parauniversitar publik dhe privat e mbyllën vitin shkollor me të gjithë vitet 10.

Për këtë arritje ata janë nderuar me medalje të artë si simbol i suksesit të tyre akademik, të cilat u janë dorëzuar nga Kryeministri në një ceremoni që është kthyer në traditë ne fundvit.

Rama i cilëson të gjithë ekselentët heronj, që në një kohë kur teknologjia po ndikon dhe te vullneti i të rinjve për të studiuar, ata kanë mundur të fitojnë këtë sfidë të brezit të tyre.

“Kam nderin e veçantë të jem për shkak të detyrës, në këtë ceremoni sepse është një nder i veçantë dhe besojeni këtë, që të të jepet mundësia të kesh të mbledhur brenda 4 mureve të gjithë ajkën e ekselencës dhe të kesh fatin që t’i shohësh në sy të gjithë heronjtë e një kohe kur nuk është e lehtë të jesh hero pozitiv dhe kur hapësira e komunikimit, falë edhe rrjeteve sociale, është e mbushur me heronj negativ”.

Rama e cilëson ceremoninë e përvitshme për ndarjen e medaljeve për gjimnazistët ekselent si momentin kur ai pranon se ‘abuzon’ me detyrën duke shpjeguar dhe arsyet.

“Për këtë arsye ma besoni këtë gjë, ky i dhënies të medaljeve të arta është i vetmi moment gjatë gjithë punës sime në 365 ditë ku mua më duket vetja realisht më i shkurtër se ata që kam përballë, besojeni këtë gjë. Nuk na ndodh shpesh, ndodh shumë rrallë që të gjendemi në kushtet kur mund të marrim kaq shumë energji dhe nëse unë mund ta pranoj që jam në kushtet e një abuzimi me detyrën, është ky: ju kam ftuar këtu dhe ndërkohë po ju marr sa të mundem nga energjia juaj, se ju keni plot”.

Kryeministri pranon se përpara të rinjve provon ndjenjën e zilisë, por i vlerëson dhe si burim motivimi.

“Besoni që ju kam zili. Kur mendoj se ju jeni këtu në majë të një arritjeje të parë të historisë suaj për të marrë medaljen e artë pasi keni refuzuar çdo lloj justifikimi për çdo lloj vështirësie, unë them me vete, “Përderisa ju ia keni dalë, edhe unë mund t’ia dal”.

Tv Klan