Ajo që ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi paralajmëroi pak ditë më parë, qeveria italiane pritet ta zyrtarizojë në mbledhjen e kësaj të Premteje me një dekret të veçantë.
Qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe në Gjadër do të ndryshojnë funksion. Nëse më parë ato ishin konceptuar për mbajtjen e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, tashmë do të përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.
Pientedosi tha pas mbledhjes se ky ndryshim do të zgjasë të paktën deri në një vendim nga Gjykata Europiane e Drejtësisë. Në Gajdër pritet të dërgohen edhe emigrantë që nuk vijnë nga vende të sigurta. Qëndrimi i një tyre në këtë qendër mund të zgjasë deri në 1 vit e gjysmë në pritje të riatdhesimit.
Gazeta “La Repubblica” shkruan se problem mbetet mbështetja ligjore dhe kostot. Në bazë të ligjit, dëbimi duhet të ndodhë nga territori italian dhe kjo mund të kërkojë që çdo emigrant të rikthehet edhe një herë nga Gjadri në Itali përpara dërgimit në shtëpi. Ndryshimi në funksionimin e Gjadrit është kritikuar nga opozita italiane.
Elly Schlein, sekretare e Partisë Demokratike u shpreh se dekreti është në kundërshtim me ligjin e BE, do të duhej të kërkojë më shumë para dhe madje edhe një ndryshim në marrëveshjen Rama – Meloni. Pak ditë më parë Gjadrin e vizitoi ish-kryeministri Mateo Renzi që propozoi kthimin e kampit në burg për të dënuarit shqiptarë në Itali.
Tv Klan