Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Pas takimeve me krerët e partive të koalicionit, Kryeministri Ilir Meta ka piketuar emrat e kabinetit të ri qeveritar. Në listën e ministrave figurojnë emra të rinj si numri dy i qeverisë, Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Punës, Makbule Çeço. Një ëmër tjetër i ri është Preç Zogaj, aktualisht këshilltar pranë presidentit Mejdani. Liberal demokrati Zogaj do të jetë Ministër Shteti pranë Kryeministrit.  

Vendin e Ylli Bufit si ministre e Ekonomisë dhe Privatizimit e zë Ermelinda Meksi e cila zëvendësohet me Kastriot Islamin. Bashkim Fino zëvendëson Arben Demetin në krye të Ministrisë së Pushtetit Lokal. Është ndarë Ministria e Punëve Publike e Transporteve, Socialdemokratëve të Gjinushit u është propozuar Ministria e Ndërtimit për Ingrid Shulin, ndërsa liberal demokratëve të Cekës u është propozuar pjesë tjetër Ministria e Ndërtimit për të cilën konkurojnë Gramoz Pashko dhe Arben Demeti.

Në kabinetin e ri qeveritar Meta, ish-kryeministri Majko nuk ka marrë asnjë post ministror. Ndërkohë i lëkundur është posti i Ministrit të Drejtësisë Ilir Panda.

Në ndryshime strukturore të kabinetit qeveritar, Kryeministri Meta ka eleminuar Ministrinë e Informacionit, Ministrinë e Reformës. Kryeministri Ilir Meta ka ruajtur nga kabineti i Majkos, Ministrin e Jashtëm Paskal Milo, Ministrin e Rendit Poçi, Ministrin e Mbrojtjes Hajdaraga, Ministrin e Financave Angjeli, Ministrin e Kulturës Edi Rama, Ministrin e Arsimit Ruka, Ministrin e Shëndetësisë Solis, Ministrin e Drejtësisë Panda dhe Ministrin e Bujqësisë Xhuveli.

Megjithatë sipas Kryeministrit Meta vetëm të hënën do të mësohen zyrtarisht emrat e kabinetit të tij qeveritar. Sot Kryeministri Meta por edhe ndonjë Ministër është konsultuar me Presidentin Rexhep Mejdani, i cili do të jetë etapa e fundit në të cilin do të kaloj përbërja e qeverisë së re./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame