Do të lejohet mbjellja deri në 150 ha në gjithë vendin

Pas konsultimit afro 10 muaj me ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe atë të Komisionit Europian, qeveria ka vendosur të çojë në kuvend për miratim projektligjin për legalizimin e kanabisit për t’u përpunuar për arsye mjekësore dhe industriale.

“Qeveria sot ka miratuar pr/ligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj”.

Në draftin e bashkëhartuar nga Ministria e Shëndetësisë, Bujqësisë dhe Ministra e Brendshme janë parashikuar jo vetëm kushtet për licencimin e kompanive që do të merren me kultivimin dhe eksportimin e kanabisit por dhe sanksionet për shkelje të kushteve të licencës.

“Sanksionet për ata të cilët shkelin kushtet e licencave apo dalin përtej kufijve ligjorë”.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Për të ndjekur të gjithë procedurën që nga kultivimi deri në eksportim do të ngrihet një agjenci e posaçme.

“Një agjenci e cila do të punojë me të gjitha agjencitë e tjera në vend”.

Qeveria vendosi të legalizojë kanabisin për arsye mjekësore pasi në konsultimin publik që bëri vitin e shkuar afro 60 përqind të shqiptarëve që morën pjesë në anketim pranon marrjen e këtij vendimi.

Tv Klan