Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro u shpreh se qeveria ka miratuar projektligjin për turizmin. Kumbaro tha se ligji i 2015 nuk i përgjigjej më realitetit turistik të vendit dhe fokusi mbetet te formalizmi i tregut në këtë sektor.

“Sot miratuam në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, ndryshime për një ligj të rëndësishëm. Turizmi ka qenë e do jetë kryefjalë, ligji i 2015 nuk i përgjigjej realitetit dhe dinamikave të reja. Edhe vizioni I qeverisë është shumë më i avancuar se ligji i 2015. Kjo bënte të nevojshme nevojën për ndryshime ligjore, qoftë për realitetet e reja në tregun e turizmit, kërkesat e konsumatorit, për të dhënë garanci më shumë për shërbime më cilësore.  Për kërkesat për të pasqyruar disa realitete të strukturave akomoduake që nuk ishin në ligjin ekzistues, është një mekanizëm për formalizmin e tregut të turizmit. E zgjidhim me ligjin që sapo miratuam sot.”

Ndër të tjera Kumbaro shtoi se vitin e ardhshëm Tirana është zgjedhur si vendi që do të mbledhë 40 ministra të Turizmit të gjithë vendeve të kontinentit Europian.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në stendën e në nivelin më të lartë, në stendën e panairit të Madridit që është panairi i parë i vitit. Me panairin e dytë në Berlin ku shkojmë me një lajm të rëndësishëm dhe një iniciativë të re ku do të shpallet Shqipëria si vendi i nderit përgjatë gjithë vitit nga 2024 në 2025 dhe ku akti final i këtij promovimi do të jetë marsi i 2025 në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin e Berlinit dhe në Prill do të vazhdohet me Komisionin për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që ka zgjedhur Shqipërinë, Tiranën më sakt si vendin e kësaj mbledhje të rëndësishëm që bëhet një herë në vit për të parën herë që zhvillohet në Tiranë dhe do të mbledhi në Shqipëri 40 ministra të Turizmit të gjithë vendeve të kontinentit Europian,” u shpreh Kumbaro./tvklan.al