Priten dhe dy vendime të tjera që kriptomonedhat të jenë të lejuara

Këshilli i Ministrave ka miratuar pas një viti vendimin i cili i hap rrugë zbatimit të ligjit për lejimin e monedhave virtuale në Shqipëri.

Të mërkurën qeveria ka përcaktuar kushtet për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për kompanitë që do të licencohen në fushën e kriptomonedhave, e cila do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Informacionit, ndërsa mbeten ende dhe dy vendime të tjera të cilat do të përcaktojnë kriteret e licencimit për agjentët e kriptomonedhave dhe parashikimet për rastet se kur kompanive do t’u refuzohet certifikimi.

Pas miratimit të këtyre vendimeve i hapet rruga edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që të miratojë rregulloret për të bërë tërësisht ligjin e zbatueshëm.

Pavarësisht se ligji nuk ka qenë i zbatueshëm, prodhimi i Bitcoin ka nisur nga shumë kompani në Shqipëri, ndërsa tregu ka qenë jashtë kontrollit të autoriteteve pikërisht për mungesën e të dhënave të prodhuesve.

Për herë të parë kjo lloj teknologjie Bitcoin bën të mundur shkëmbimet e pagesave mes dy subjektesh pa patur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci.

Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurt të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra. Franca, Malta dhe Lihteshtejni janë tre vendet e para europiane që kanë miratuar ligjin për kriptomonedhat, ndërsa listës i janë shtuar edhe Gjermania, Britania, Bullgaria, Finlanda dhe Qipro.

Tv Klan