Kushi: Nuk ka asnjë hap pas nga nisma për studentët e Mjekësisë
Për herë të parë studentët shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi studentore.
Ministrja e Arsimit shpjegoi pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua ky vendim dhe të gjitha kriteret që duhet të përmbushin aplikuesit të cilët nëse janë përfitues të një burse studentore apo janë të përjashtuar nga pagesa e tarifave vjetore, nuk mund të përfitojnë kredi studentore.
Ministrja, 24 orë përpara miratimit të ligjit që detyron studentët e Mjekësisë të punojnë 5 vite dhe më pas të pajisen me diplomë, thotë se s’ka asnjë hap pas. Sipas saj, nuk ka pengesa kushtetuese për ta miratuar.
Një pjesë e studentëve të Mjekësisë por dhe maturantëve që duan të vazhdojnë studimet në këtë degë protestojnë prej javësh kundër këtij detyrimi, madje duke kërcënuar dhe me bojkot dhe dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese.
KRITERET PËR KREDI STUDENTORE
• Kredia studentore jepet pa kolateral fizik;
• kredia studentore jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi;
• financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, pas konfirmimit nga IAL që studenti ka shlyer tarifën e vitit dhe ka frekuentuar procesin mësimor;
• shlyerja e kredisë nis jo më herët se 3 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për studimet e ciklit të parë, jo më herët se 2 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për programe studimi cikli i dytë dhe e treta jo më herët se 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë;
• norma e interesit të kredisë të jetë e pandryshueshme, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.
Tv Klan