Ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, i cili i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte qeverinë e re.

Sipas Qeverisë në detyrëm ky vendim është në të mirë të interesit publik dhe i shërben administrimit të drejtësisë.

“Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, është thënë në një komunikatë për media të këtij institucioni.

Më 30 prill, Thaçi ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të organizojë seancë të jashtëzakonshme më 2 maj për formim të qeverisë së re, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën, deri në vendimin e ardhshëm./REL