Qeveria në detyrë ka shkarkuar Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës duke thënë se vendimi u mor për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave.

Qeveria mori këtë vendim në mbledhjen e 17-të korrespoduese, e cila u thirr me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, njofton Klan Kosova.

Me po të njëjtin vendim Qeveria ka emëruar Bordin e Ri në përbërje:

1. Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës;
2. Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;
3. Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike;
4. Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;

5. Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor;
6. Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë;
7. Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK-së dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK.

Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së Corona virusit COVID-19 ka miratuar vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit të Qeverisë nr 01/15 i datës 23.03.2020 me masat si në vijim:

– Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

– Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zonat (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës së Kosovës, përveç banorëve të këtyre zonave dhe personave të autorizuar nga organet përkatëse;

– Barnatoret e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Barnatoret kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale;

– Shkelësit e këtyre masave të përcaktuara me këtë Vendim do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi;

Klan Kosova