Qeveria negociata për të hequr tarifën e skanimit për Kosovën – TV KLAN

Qeveria negociata për të hequr tarifën e skanimit për Kosovën

Limaj: Po paguajmë haraç! Denaj: Do të nisim bisedimet

Në vitin 2013, Shqipëria dhe Kosova firmosën disa marrëveshje për të rritur bashkëpunimin e për të hequr barrierat tregtare mes dy vendeve, por 5 vjet që nga ajo kohë biznesi thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç rritjes së kostove tregtare. Astrit Panxha, drejtor i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar tha se çmimet e referencës, taksa në Rrugën e Kombit dhe tarifa e skanimit në dogana kanë shtuar ndjeshëm barrën e pagesave për bizneset e Kosovës.

I drejtpërdrejtë ishte edhe zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili i tha Ministres së Financave se tarifa e skanimit, 22 Euro për çdo mall të ndryshëm që skanohet, pavarësisht që është në të njëjtin kamion, nuk është tarifë sigurie, por një haraç për biznesin. Vetë Anila Denaj premtoi se qeveria do të nisë bisedimet me koncesionarin për të riparë edhe njëherë pagesat e skanerit në dogana.

Koncesioni i skanimit u miratua nga parlamenti në Mars të vitit 2013, fillimisht me tarifën 40 Euro për çdo deklaratë doganore. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në vitin 2015, pas negociatave të qeverisë me kompaninë për të ulur pagesën në 22 Euro, ku pjesën e mbetur prej 18 eurosh e paguan buxheti i shtetit nga taksat që mblidhen. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria dhe Kosova kanë rritur me rreth 100 milionë dollarë shkëmbimet tregtare, por më pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Tv Klan

Kategori
EkonomiLajmet KryesoreTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione