Qeveria ka nxjerrë sërish në shitje 3 vendburime nafte në jug të vendit. Bëhet fjalë për bllokun Cakran – Mollaj në Fier dhe Gorisht – Kocul e Amonicë në qarkun e Vlorës.

Afati i aplikimit për shoqëritë që kërkojnë të marrin në shfrytëzim këto blloqe është data e fundit e muajit mars.

Një urdhër i firmosur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, urdhëron kompaninë Albpetrol që të fillojë menjëherë procedurat e shpalljes së blloqeve të lira dhe të nisë punën për ngritjen e grupit të vlerësimit dhe të hartimit të termave të kontratave.

Blloku i Amoncës ishte në përdorim nga kompania Phoenix Petrolium, por për shkak të mos përmbushjes së kushteve në kontratë dhe vlerës së investimit, asaj iu hoq e drejta e kërkimeve në Mars të 2017-s.

Po ashtu edhe në blloqet e gazit dhe naftës Cakran – Mollaj dhe Gorisht – Kocul, Shqipëria ka patur një marrëveshje koncesionare me firmën Transantlantic, por kontrata u prish nga ana e qeverisë me pretendimin se kompania nuk ka paguar 13 milionë dollarë ndaj Albpetrol dhe po ashtu nuk ka kryer investimet e duhura në puset e naftës.

Ende Shqipëria vijon betejën në Arbitrazh me këtë firmë, ku Transantlantic kërkon 70 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa Albpetrol 75 milionë dollarë.

Këto janë blloqet më të rëndësishme të naftës në Shqipëri, pas atyre që ka në shfrytëzim Bankers Petrolium, duke arritur një prodhim vjetor prej më shumë se 100 mijë ton në vit.

Tv Klan