Ndryshon vendimi, përjashtohen kreditorët e këqij

Qeveria ka vendosur të marrë përsipër pagesën e interesave të kredisë që do të jepet për sektorin privat për pagat e punonjësve, të garantuar nga garancia sovrane.

Në një vendim të miratuar së fundi, Këshilli i Ministrave ndryshon marrëveshjen që ka bërë me të gjithë bankat që operojnë në sistemin bankar vendas, duke shtuar një nen i cili parashikon rimbursimin nga Ministria e Financave të interesave të kredive të dhëna për linjë e kredisë së skemës të parë të garancisë.

Ndryshimi do të reflektohet edhe për kreditë e dhëna përpara se të bëhej ky ndryshim, duke lehtësuar nga kostot e interesave sipërmarrësit që do të marrin hua për të dhënë pagat.

Po ashtu marrëveshja e re heq komisionet dhe penalitet në vonesat e pagesës së kredisë, përsa kohë interesi dhe linja e saj është e garantuar nga buxheti, por përjashton përfitimin nga kjo skemë të kompanive që rezultojnë të jenë në regjistrin e kreditorëve të këqij.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri tani janë 400 kërkesa nga sipërmarrje të ndryshme për të përdorur këtë instrument financimi, për një vlere kredie prej 45 milionë Dollarësh, çka ka bërë që 45% e fondit të garantuar të nisë të përdoret që dy muajt e parë të hyrjes në fuqi të kësaj skeme.

Kredia sovrane për paga i jep të drejtë kompanisë që të mos paguajë principal për 3 muajt e parë që nga moment i tërheqjes së fondeve.

Tv Klan