Për 2019-n rritja e prodhimit kombëtar shkon në 3%

Shpresat e qeverisë për të arritur një rritje ekonomike për vitin 2019 prej 4.3% siç ishte parashikuar fillimisht në buxhetin e këtij viti janë zbehur, duke bërë që me një vendim të fundit ku ka miratuar Strategjinë e Borxhit Publik, të rishikojë me ulje rritjen e prodhimit kombëtar.

Për 2019-n vlerësohet se rritja ekonomike do të jetë në nivelin 3%, më poshtë se norma 4.1% që ishte një vit më parë, e duke iu afruar në këtë mënyrë vlerësimeve të bëra nga institucionet financiare ndërkombëtare: Fondi Monetar dhe Banka Botërore.

Me ulje është rishikuar edhe ritmi i rritjes përgjatë viteve të ardhshme. Kështu, për vitin 2020, 2021 dhe 2022 rritja do të jetë në nivelin 4%, ndërsa më parë projektohej që pas 3 vjetësh të arrinte mbi 4.5%.

Viti 2019 ishte i vështirë sa i takon prodhimit të energjisë elektrike, çka rezultoi një rënie të prodhimit kombëtar ndërsa pesha e eksporteve vendase shënoi ulje, e prekur edhe nga recesioni i partnerit kryesor tregtar Italisë.

Turizmi kontribuoi pozitivisht në ekonomi edhe këtë vit, por situata politike zbehu për një periudhë kohe fuqinë blerëse, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore dhe Fondit.

Ulja e rritjes ekonomike, kërcënon kështu edhe tagrin e qeverisë për të ulur në 65.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nivelin e borxhit publik.

Tv Klan