Rama: kriza, deri në mesin e 2022. Çmimet mund të mos rikthehen aty ku ishin

Qeveria shpalli emergjencën për furnizimin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar një plan të posaçëm që u vjen mbrojtje qytetarëve.

“Me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”.

Por cilat janë kategoritë që do të përfitojnë nga ky plan i posaçëm?

“Qeveria ka detyrimin të bëhet digë mes atyre që se përballojnë dot këtë krizë. Më të prekshëm janë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.”

Ndonëse nuk dha detaje me sa përqind do të rritet çmimi i energjisë, Kryeministri foli për parashikime që mund të mos kthejnë më tarifat aktuale.

“Ekspertët thonë; kriza do të ketë një kulm që do të zgjasë deri vitin e ardhshëm, por nuk parashikon që çmimet do të kthehen atje ku ishin. Kjo duhet parë.”

Qytetarët i garantoi se ky dimër nuk do t’i gjejë në errësirë .

“Nëse do të ishte dimër pa drita do i kishim rënë shkurt; bëhuni gati. Lajmet vetëm në orën 3 dhe në 7 errësirë dhe s’do të diskutonim këtu.”

Për ruajtjen e rezervave hidrike shpëtimin e sheh tek ndërtimi I hidrocentralit të Skavicës.

“Skavica që ka filluar tani nga puna dhe do të ndërtohet brenda këtij mandati, me ndihmën e Zotit, se ndodhin gjëra që janë rrugës, do të na japë mundësi që të ruajmë rezerva.”

Ndërmend nuk ka aspak të marrë në konsideratë planin 7 pikësh të Lulzim Bashës, duke e ironizuar atë.

“Këto kërkesat bëje rrafsh arkën e shtetit se shihemi nesër janë atavizma të kohës së Sudes dhe Vehbiut. Nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vehbiut.

Përballë kërkesës që rritja e çmimit të energjisë të shoqërohet me rritje të pagave, Kryeministri dha këtë përgjigje.

“Nuk funksionon kështu. Sepse rrogat nuk rriten sepse dua unë. Nuk do i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë. Rroga do të rritet vit pas viti, rroga minimale për vitin tjetër 320 mijë lekë. Pagat e tjera patjetër që do i rrisim vit pas viti, për mësuesit e infermierët, patjetër dhe sektori privat”.

I prerë ishte kur tha se nuk do të ketë ulje të taksave për karburantin, duke thënë se rritja e çmimit rregullohet nga privati dhe jo shteti.

“Megjithëse ne brenda çmimit të naftës kemi dy komponentë plus, komponentin e taksës së qarkullimit dhe taksë karboni, çmimi i naftës sot është më i ulët se sa ishte. Taksa e karbonit ishte aty dhe do rrijë aty.”

Sipas Kryeministrit çmimi i karburantit sot është më i lirë sesa në vitin 2013.

Në vendimin e marrë qeveria parashikon ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Gjithashtu kërkohet nga shoqëritë KESH, OST dhe OSHEE të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Tv Klan