Vendimi, ushqimoret të furnizohen për 3 muajt e ardhshëm

Nga mbrëmja e të martës jemi zyrtarisht në gjendje të Fatkeqësisë Natyrore. Vendimi i qeverisë nënkupton mes të tjerash kufizimin e të drejtave të qytetarëve që më herët ia garantonte Kushtetuta, por që konsiderohen të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit, nga rreziku i koronavirusit.

Tashmë organi më i lartë në menaxhimin e situatës është Komiteti  Ndërministror  i  Emergjencave Civile, i njëjti organ që ishte ngritur pas tërmetit të 26 Nëntorit, por që funksiononte për Durrësin, Lezhën dhe Tiranën.

Komiteti do të kryejë koordinimin për përballimin e Fatkeqësisë Natyrore për  shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 ditë nga shpallja e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Masat për situatën e re të krijuar janë disa. Që nga përballimi i shpenzimeve shtesë, vënia në dispozicion e godinave shtetërore, vendosja në karantinë e të infektuarve dhe garantimi i shërbimit mjekësor dhe furnizimi me pajisjet e duhura për shmangien e infektimit, pa përjashtuar këtu edhe kontrollet në banesa për evidentimin e personave të infektuar.

Ndërkohë, në një vendim tjetër të qeverisë detyrohen bizneset që tregtojnë produkte ushqimore të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë për një periudhë 3-mujore me qëllim përballimin e situatës së shkaktuar nga infeksioni COVID-19. Nëse mallrat nuk do të jenë shitur, do të blihen nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit.

Veç kësaj, subjektet që tregtojnë me shumicë barna/pajisje mjekësore, subjekte që prodhojnë barna dhe pajisje mjekësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore, të jenë në gatishmëri dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizime me barna dhe pajisje mjekësore dhe për të ofruar shërbime shëndetësore të nevojshme, në kuadër të përballimit të situatës së emergjencës së shkaktuar nga COVID-19.

Tv Klan