Tetë Dhjetorin kryeministri zgjodhi ta kujtojë në një aktivitet në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër me studentët të ekselencës. Edhe pse në lajmërimin e bërë në faqen e tij në Facebook, Kryeministri shtronte për diskutim pytjen: A do të jetë politika shqiptare e bashkuar në lartësinë e aspiratës së Dhjetorit ’90 për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, ai nuk u ndal të fliste për këtë temë por më shumë foli për ndryshimin e madh që ekziston mes ëndrrave të studentëve të 8 Dhjetorit dhe studentëve 27 vite më pas.

Takimi me studentët në Shkodër u zhvillua në kuadër të mbledhjes së qeverisë që do mbahet për dy ditë në këtë qark. Jo vetëm për simbolik, por edhe sepse është një premtim elektoral, qeveria ka marrë vendim për të shpallur qendrën e Thethit qendër historike.

Një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e zhvilluar në Muzeun Marubi ishte miratimi i projektit për Shkodrën turistike, projekt i hartuar mbështetur edhe mbi propozimet e Bashkisë Shkodër që muajt e fundit ka bërë që kryeministri dhe kryebashkiakja demokrate Ademi të shfaqen shpesh në krah të njëri-tjetri pavarësisht përplasjeve në jo pak raste dhe publike.

E një nga këto shfaqje u shënua përpara mbledhjes së qeverisë kur Rama e Ademi inspektuan punimet për rrugë turistike të Velipojës, investim i qeverisë përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

Tv Klan