Qeveria shqiptare ka hedhur sot poshtë lajmet për hapjen në vendin tonë të një qendre për grumbullimin e ish-militantëve të ISIS-it.

Në reagimin e Këshilltarit të Sigurisë, Sandër Lleshi thuhet se këto janë lajme të rreme me karakter provokues, që spekulojnë haptazi, pasi nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese, plani apo mundësie për diçka të tillë.

Kryeministria sqaron se fraza e përdorur nga Kryeministri Borisov është krejt pa lidhje me këtë çështje, pasi bëhet fjalë për Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni, si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Por kjo qendër, sipas qeverisë shqiptare, as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrëkujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi të ish-militantëve të ISIS-it.

Tv Klan