Qeveria shqiptare thotë se propozimi i parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë nuk do ta cenojë lëvizjen e lirë të shqiptareve drejt këtij vendi apo shteteve të tjera anëtare. Në një reagim të Ministrisë së Jashtme thuhet se garanci për këtë janë vetë kriteret e vendosura nga Brukseli.

“Duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.”

Bindjen e saj qeveria shqiptare e bazon tek të dhënat e shifrave të azilit dhe kriminalitetit shqiptar në Holandë.

“Migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtjesore. Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata holandezë.”

Përfshirjen e Shqipërisë në diskutimet e parlamentit holandez, ministria jonë e jashtme e sheh si produkt të debateve të brendshme politike që lidhen me zgjedhjet e pritshme europarlamentare.

“Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë ne agjendën e partive në garë, s’kemi asnjë dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale.”

Megjithatë, Ministria e Jashtme kërkon nga shtetasit shqiptarë të respektojnë si afatet ashtu edhe plotësimin e dokumentacionit që nevojitet për lëvizjen në zonën Shengen.

Tv Klan