PresidentiMe një projektligj të hartuar tashmë nga Ministria e Mbrojtjes , Qeveria synon të zhveshë Presidentin e Republikës nga disa të drejta dhe detyrime të cilat i atribuohen atij nga Kushtetuta si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Për më tepër, disa prej këtyre të drejtave që ligji ia njeh vetëm Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pra Presidentit, sipas projektligjit të hartuar, do t’i hiqen këtij të fundit për t’ia kaluar Kryeministrit.

Bëhet fjalë për projekt-ligjin :

Autoritetet dhe pushtetet e drejtimit dhe Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, projekt-ligj ky që synon të zëvendësojë ligjin nr.8671 të datës 26.10.2004: 

Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Po çfarë ndryshimesh konkretisht janë bërë në projekt-ligjin e hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe miratuar nga kreu i saj Mimi Kodheli.

Neni 7, të ligjit aktual thotë që:

Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gëzon Autoritetin e Plotë të Komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe ka këto detyra e përgjegjësi:

Pika tre: Miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe vendos  për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake reservë, brigadë e lart.

Ky nen, në projektligjin e ri, i hiqet si e drejtë dhe detyrim Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dhe i kalon si e tillë Kryeministrit të vendit.

Ja se ç’thotë Neni 12 i projekt-ligjit të hartuar së fundmi nga Ministria e Mbrojtjes, në pikën B të tij:

Kryeministri miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje.

Një tjetër e drejtë dhe përgjegjësi që i njihej gjer më tani, Presidentit të Republikës ishte edhe kjo, e shprehur në pikën 8 të Nenit 7 sipas ligjit aktual :

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, emëron, gradon, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim me propozim të Ministrit te Mbrojtjes, oficerët me grada madhore.

Pra, edhe ky nen që sanksionon marrëdhëniet mes komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura me oficerë madhorë që mbajnë gradën Gjeneral e sipër, sipas projket-ligjit të ri të firmosur nga ministrja Kodheli, rrëzohet, duke mos ia njohur më këtë si të drejtë eksluzive Presidentit të Republikës por që tashme ia kalon atë Kryeministrit të vendit.

Ja se ç’thotë pika C, e nenit 12 të projekt-ligjit :

Kryeministri emëron dhe liron nga detyra me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, përveç atyre të përcaktuar në shkronjën “c”, të të pikës 3, të nenit 9 të këtij ligji.

Pra Presidentit i lejohet të emëroje apo të lirojë nga detyra, me propozim të ministrit të Mbrojtjes vetëm Komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, por për të gjithë oficerët e tjerë madhorë me gradën Gjeneral e lart, sipas këtij projekt-ligji do të jetë Kryeministri që do të firmosë.

Gjithashtu tre pika të tjera të rëndësishme të punës se Presidentit si Komanadant i Përghithshëm i Forcave të Armatosura shfuqizohen sipas projekt-ligjit të ri. Konkretisht:

Pika 14, e nenit 7 sipas ligjit aktual, sanksionon se: Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, delegon autoritetin e komandimit operacional të njësive ushtarake të madhësisë ushtar-skuadër-togë-kompani-batalion  të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të Komandat aleatë, me të cilat forcat tona kryejnë misione të përbashkëta sipas marrëveshjeve dhe traktateve të ratifikuara nga Kuvendi.

Gjithashtu shfuqizohet edhe Neni 8:

Presidenti i Republikës si Komandant i Forcave të Armatosura , nxjerr urdhëra dhe udhëzime në ushtrimin e detyrave dhe të përgjegjësive që ka.

Shfuqizim sipas projekt-ligjit të ri, njeh edhe neni 9 i ligjit aktual:

Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit të Ministrave ndryshime në buxhetin për mbrojtjen në varësi të nevojave.

Këto janë ndryshimet që Ministria e Mbrojtjes kërkon ti bëjë ligjit aktual për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura, nëpërmjet një projekt-ligji të ri,  ku në rastin më të mirë ia heq si të drejta dhe përgjegjësi Presidentit e në rastin ekstrem, ia kalon ato kryeministrit të vendit.

Presidenti i Republikës edhe pse kemi të bëjmë me një projektligj që prek detyrat dhe përgjegjësitë e tij, nuk është ftuar që të marrë pjesë nëpërmjet ekspertëve, në hartimin e këtij projekt ligji, por i është bërë fakt vetëm në momentin kur i është dorëzuar për tu njohur me të, nëpërmjet shkresës së datës 31 Mars të dërguar nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ku ftohet të japë mendimin, madje sa më shpejt.

Presidenti i Republikes i ndodhur para kësaj situate, në përgjigjen kthyer Ministres së Mbrojtjes është mjaftuar t’i kujtojë asaj se : Kushtetuta i njeh të drejtën e dhënies së gjykimit mbi një ligj nëpërmjet dekretimit të shpalljes së tij ose kthimit për rishyrtim në Kuvend.

Por ka theksuar gjithashtu edhe domosdodhmërinë e pjesëmarrjes së një eksperti nga institucioni i Presidentit të Republikës në grupin e punës që hartoi këtë projekt-ligj.

Nuk dihen se si do jenë hapat e mëtejshme në këtë situatë të re mes Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës, por e sigurtë është që ky i fundit do t’i duhet të mbrojë gjer në fund të drejtat dhe detyrimet që i njihen me ligj.