Mocioni i parlamentit të Holandës për pezullimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët në këtë shtet, sipas qeverisë dhe shumicës socialiste është një vendimmarrje për konsum të brendshëm politik. Sipas tyre, nuk është i bazuar mbi një shqetësim real sa i takon kriminalitetit apo kërkesave për azil nga shqiptarët në këtë shtet.

Zv/ministri i Jashtëm Sokol Dedja dhe zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli thonë se nuk ka vend për panik për kthimin e vizave. Kjo vendimmarrje duhet të kalojë më parë nga qeveria e Holandës dhe më pas nga Komisioni Europian, parlamenti dhe Këshilli Europian.

Rovena Voda:

“Besoj për çështje të brendshme se ministrat holandezë që kemi takuar kanë tjetër qëndrim”.

Të dhënat e vetë shtetit holandez për dy nga treguesit që janë kusht për pezullimin lëvizjes së lirë nga një shtet i Schengen flasin për ulje të rasteve të përfshirjes së shqiptarëve në vepra penale si dhe kërkesave për azil.

Kështu, gjatë 2016 janë 710 shqiptarë të proceduar për vepra kriminale, 499 gjatë 2017 dhe gjatë vitit 2018, 470.

Tv Klan