Lajme Arkiva 2003

Votimi i qeverisë dëshmoi tkurrjen e grupit të deputetëve të deklaruar kundër kryeministrit Fatos Nano. Gjergji Koja, Fatmir Xhindi, Eduard Alushi, Ilir Zela dhe Ardit Kaja, ndryshe nga ç’kishin deklaruar kundër ndryshimeve në qeveri dhe kryetarit Fatos Nano, i mirëpritën dekretet e presidentit.

Kryetari i grupit parlamentarë socialist, Gramoz Ruçi, e kishte llogaritur një gjë të tillë përpara se të fillonte procesi i votimit edhe pse publikisht e mohoi atë.

Gazetarja: Sipas llogarive tuaja, Ilir Zela voton pro qeverisë?

Gramoz Ruçi: Unë nuk bëj asnjë llogari dhe nuk paragjykojë asnjë votë të asnjë deputeti, qoftë kjo edhe e Berishës.

Me ndryshimin rrënjësor të kabinetit Nano, fituan portofole jo vetëm emrat e rrëzuar në kuvend 5 muaj më parë si Marko Bello, Namik Dokle dhe  Fatmir Xhafa , por edhe dy deputetë të cilët kishin kontribuar për të rrëzuar tre dekretet të propozuara nga kryeministri Fatos Nano, Anasatas Angjeli dhe Bashkim Fino, të njohur deri vonë si mbështetës të platformës të ish kryeministrit Ilir Meta dhe nga ana tjetër të akuzuar nga kryetari i partisë Fatos Nano, para dhe pas mbledhjes së famshme të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste që u mbajt në Dhjetor 2001.

Këto akuza nga shkëmbi i pëllumbave te klani i trafiqeve shefi i opozitës ua solli në kujtesë përpara votimit.

Anastas Angjeli: Unë nuk mund te jem njeriu i Fatos Nanos për qëllime të tilla, ashtu siç nuk m und të jem i askujt tjetër, as i Ilir Metës dhe as i kërkujt.

Fatos Nano: Unë nuk i zë besë Anastasit, as firmave të Anastasit edhe kur ai thotë se do të jem ushtari, apo njeriu i Nanos deri në vdekje.

Sali Berisha: Është përfundimisht i papërgjegjshëm Anastas Angjeli, i diskretituar në opinionin publik, ka prekur fondin rezervë të qeverisë, ka emëruar jashtë kritereve në dogana, ka përgatitur punësimin e kuëshërinjve në tatime, ka marrë shesh në fshatin turistik në Ksamil, ka marrë sheshe në Lezhë, ka marrë sheshe në Tiranë, ka marrë sheshe në mbarë Shqipërinë. Aroma e bananeve thotë baroni i drogës dhe krimit Fatos Nano, por kur Fino kthehet dhe i thotë je ti që dergje dhe bëje orgji me javë të tëra në hipodromin e Mirit të Xhikes, e qepi dhe e mbylli gojën, se për hir të së vërtetës, ai klan në regjistrat shqiptar dhe ndërkombëtarë, ka qenë klan kryesor i pluhurit të bardhë. Ka larë aksionet jo vetëm të Finos, por edhe të vetë Fatos Nanos.

Në politik nuk mbahen përgjegjësi për ato që deklarohen ndaj dhe Anastas Angjeli, tashmë Ministri i Ekonomisë nuk i bën përshtypje.

 Anastas Angjeli: E konsideroj si një akt të zakonshëm që e ka bërë gjithnjë, por që sot e bëri me dhimbje duke parë që pas votimit të djeshëm edhe sot, mazhoranca socialiste dhe progresiste do të vazhdojë të drejtojë vendin deri në 2005-ën dhe me siguri do fitoj edhe zgjedhjet e ardhshme./tvklan.al