Debate maratonë mes kampeve të politikës

Në ditën e dytë të debatit parlamentar për zgjedhjen e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, deputetët e opozitës në maksimum i shfrytëzojnë mundësitë kohore për të adresuar kritika ndaj mandatarit Zoran Zaev, i cili sonte vonë pret përkrahjen e 62 deputetëve për programin e tij qeverisës.

“Premtuan shkallë njëshifrore të papunësisë, kështu ishte edhe në zgjedhjet e kaluara. Çfarë premtojnë kur në Maqedoni ka 40 mijë të rinj të papunë. Me të vërtetë janë një qeveri top-shop, çdo herë të bëjnë më shumë dhe të mos mbeten këtu”, Igor Janushev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Është kundërpërgjigjur mandatari Zoran Zaev, duke akuzuar opozitën për injorimin e vendimeve të mëdha të vendit gjatë viteve të kaluara.

“Shumë vështirë është mendimi se edhe katër vite duhet të mbeteni në opozitë. Nuk ka një qeveri top-shop por ka një dormeo-opozitë, për shkak se i kaluat në gjumë të gjitha vendimet e mëdha që u miratuan në këtë vend. Nuk kishit qëndrim, derisa ishit të grindur me të gjithë fqinjtë, nuk kishit guxim kur u sollën vendimet e mëdha për vendin. Frustracioni është i madh, dhemb”, tha Zaev.

Nuk kanë munguar përplasjet as edhe në kampin politik shqiptar, ku në radhë të parë pati akuza e kundër-akuza rreth zgjedhjeve të Korrikut dhe legjitimitetit të BDI-së për të marrë pjesë në këtë qeveri.

“Nuk kemi as liri, për shkak se vota dhe dita e zgjedhjeve janë reflektimi më i mirë i demokracisët”, tha Elmi Aziri, koalicioni ASH – AAA

“Përse goditni nëpër foltore, po… dikund rrihen në parlament, ja edhe ne të rrihemi… Mosni ashtu”, tha Talat Xhaferi.

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, debati zhvillohet në atmosferë të ndezur kurse duhet të përfundojë sonte para mesnatës, kur është afati i fundit për t`u votuar kabineti i ri qeveritar, i cili të hënën duhet të fillojë me punë.

Klan Macedonia