Politika që ndoqi presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me emigracionin ku mijëra familje u ndanë nga fëmijët e tyre e që edhe sot e kësaj dite nuk janë bashkuar, ka mbetur në udhëkryq.

Mbi 666 fëmijë nuk kanë asnjë kontakt me prindërit e tyre. E gjitha kjo nisi në kufirin me Meksikën në 2018, ku mijëra familje udhëtuan për një jetë më të mirë. Gjatë asaj periudhe u organizuan protesta të dhunshme për ndarjen e fëmijëve nga prindërit.

UNICEF, OKB dhe OBSH ishte të parat që bënë thirrje që kjo politikë të ndalet pasi konsiderohej vrasëse për shumë të mitur.

Një grup avokatësh u emëruan muajin e kaluar për të gjetur prindërit, shumica e të cilëve u dëbuan në Amerikën Qendrore. Pandemia e koronavirusit ka penguar pjesërisht kërkimet.

Steven Herzog, avokati që kryeson misionin për të bashkuar familjet, fajëson mungesën e informacionit të qeverisë. Herzog shprehet se administrata e Trump duhet që të japë informacionin e nevojshëm për të gjithë prindërit të cilët janë në kërkim të fëmijëve të tyre dhe hapat që duhet të ndjekin ata për t’i rimarrë ata. 

Megjithëse politika e “tolerancës zero” zgjati nga Prilli deri në qershor 2018, ajo kishte funksionuar nën një program pilot që nga viti 2017 në zonën e El Paso. Në atë kohë mediat publikuan fotografi dhe audio të fëmijëve që flinin në kafaze dhe qanin për prindërit e tyre, duke shkaktuar kritika të ashpra nga brenda SHBA dhe rreth globit.

Në Qershor 2018, në një padi të ngritur nga Unioni Amerikan i Lirive Civile një gjykatës amerikan urdhëroi që fëmijët emigrantë dhe prindërit e tyre të ribashkohen brenda 30 ditësh. Por ata u ndanë nga programi pilot dhe ribashkimi i tyre u urdhërua vetëm vitin e kaluar.

Një pjesë e madhe e fëmijëve janë nën moshën pesë vjeç dhe ndodhen në kujdesin e të afërmve të familjes në SHBA. 

Presidenti i zgjedhur Joe Biden edhe gjatë fushatës presidenciale është shprehur  se do të krijojë një task forcë për të bashkuar të gjitha familjet emigrante të ndara në bazë të politikës së Trump, por ende nuk ka thënë nëse prindërit do të jenë në gjendje të udhëtojnë në SHBA për të kërkuar azil me fëmijët.

Klan Plus