Qiproja e veriut, një nacionalist fiton zgjedhjet



Qiproja e veriut, një nacionalist fiton zgjedhjet

12:07 19/10/2020

Nacionalisti i djathtë Ersin Tatar ka fituar zgjedhjet presidenciale në Qipron e veriut e kontrolluar nga turqit. Tatar, i cili është proturk dhe do që ishulli të qëndrojë i ndarë në dy shtete, mori rreth 52% të votave. Sipas mediave kjo është cilësuar si një fitore surprizë.

Kundërshtari i tij ishte Mustafa Akinci, i cili kërkonte ribashkim me pjesën greke të ishullit. Qipro vijon e ndarë që prej vitit 1974 kur Turqia pushtoi pjesën veriore pas një puçi ushtarak të mbështetur nga Greqia.

Ishulli u nda në dy pjesë. Një krah njihet si qeverisja turko-qipriote ndërsa pjesa tjetër si qeverisja greko-qipriote dhe njihet ndërkombëtarisht. Republika Turke e Qipros së Veriut ka një popullsi prej 300 mijë personash dhe njihet si shtet i pavarur  vetëm nga Turqia. Gjithë pjesa tjetër e botës e sheh atë si pjesë të Qipros.

Presidenti Erdogan, i cili mbështeti Tatar gjatë zgjedhjeve e uroi për fitoren pas zgjedhjeve. Ende nuk ka një koment nga qeveria qipriotë në Nikozia.

“Meritojmë pavarësinë tonë, ne jemi zëri i turko-qipriotëve”, tha Tatar. /tvklan.al




Të ngjashme