9 mujori i parë i këtij viti ka sjellë ndryshime përsa i përket regjistrimeve dhe mbylljeve të aktiviteteve të bizneseve në vend.

Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, vihet re se në periudhën Janar – Shtator 2016, numri i bizneseve të reja të regjistruara ishte 17 mijë e 978, ose 13 mijë e 292 biznese më pak se në periudhën Janar – Shtator 2015.

Ndërsa përsa i përket mbylljes së bizneseve, sipas QKB -së, në 9 mujorin 2016 kishte 4717 çrregjistrime, 1942 më shumë se në 9 mujorin e një viti më parë.

Të dhënat e detajuara sipas qyteteve tregojnë se më shumë çrregjistrime të bizneseve, krahasuar me vitin e kaluar ka patur në Tiranë, më pas vjen Korça, Fieri, Elbasani, Durrësi dhe Vlora.

Ndërsa më pak biznese të regjistruara, krahasuar me 9 mujorin 2015, ka patur në Tiranë, Fier, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.

Burime nga Ministria e Ekonomisë thonë se ndryshe nga vitit i kaluar, ku për shkak të aksionit kundër informalitetit, numri i bizneseve të regjistruara u rrit, pasi u formalizuan edhe ato që ishin në të zezë, këtë vit situata është më e stabilizuar dhe numri i bizneseve të regjistruara nuk është aq i lartë.

Tv Klan