QSUT, më keq se fasoneritë e Call Center



QSUT, më keq se fasoneritë e Call Center

15:52 16/06/2020

Shpërndarësi kryesor i koronavirusit në vend

Nëse do t’i drejtoheni Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për t’u kuruar nga ndonjë sëmundje, ka rrezik që të sëmureni akoma më keq, duke u infektuar me virusin e rrezikshëm, Covid -19.

“Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza duket se është kthyer në shpërndarësen kryesore të koronavirusit në vend. Pas transferimit të këtij infeksioni në Gjirokastër, Mat dhe Lushnje, një tjetër rast dyshohet se është infektuar në QSUT dhe më pas ka shkuar në Korçë”.

70-vjeçari nga Korça, i cili ka rezultuar pozitiv, ka qenë i shtruar më herët në QSUT, pas daljes nga spitali dhe rikthimit në shtëpi, ai ka shfaqur simptoma të sëmundjes dhe po trajtohet në kushte ambulatore.

Pacientët që shtrohen në spital, apo paraqiten në urgjencë, sipas familjarëve të tyre, nuk i nënshtrohen më parë një testimi nëse janë të prekur apo jo nga koronavirusi.

Qytetari: Ka ardhur nga Lezha me urgjencë, e kanë mbajtur një natë këtu, e kanë shtruar këtu. Tani është në operacion.

Gazetarja: A i kanë bërë ndërkohë analizat për koronavirus?

Qytetari: Nuk e di! Atë e dinë ata.

Duke u shtruar pa kryerjen e tamponit, një i infektuar mund ta shpërndajë virusin tek të tjerë pacientë, duke u rrezikuar jetën.  E vetmja gjë që ka nisur të vihet në funksion është thjesht matja e temperaturës në hyrje të shërbimeve.

Pavarësisht se nga kjo qendër spitalore janë infektuar me dhjetëra qytetarë, mjekët vijojnë të jenë më të pakujdesshëm ndaj rregullave. Siç duket edhe nga këto filmime, ata nuk mbajnë maska në mjediset e brendshme. Ka nga ata, që maskën e përdorin si një aksesor dhe jo si mbrojtëse. Të tjerë, maskën e venë vetëm kur shohin kamerën. Familjarët vijojnë traditën e shoqërimit të të afërmve të tyre në grup, pa distancë dhe në shume raste pa maska.

Televizioni Klan u interesua pranë Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza se përse nuk zbatohen rregullat anti-covid, çka e ka kthyer këtë spital në përhapësin më të madh të virusit në vend, më keq se dikur fasoneritë dhe Call Center, por nuk mori përgjigje. 

Tv Klan




Të ngjashme