SPAK nis verifikimet për rastet e kallëzuara, sekuestron edhe bllokun e kardiokirurgut

Një javë pas arrestimit te kardiokirurgut Edvin Prifti për dosjen e Krujës, ku u vu në pranga gjyqtarja e Krujës dhe disa zyrtarë të tjerë, në Prokurorinë e Posaçme kanë mbërritur denoncime të tjera ndaj mjekut. 3 qytetarë kanë kallëzuar në SPAK mjekun Prifti për korrupsion, për të cilin kanë nisur dhe hetimet.

Nga verifikimet e SPAK mësohet se është sekuestruar edhe blloku i planifikimit të operacioneve që Prifti mbante.

Sipas burimeve, sekuestrimi i bllokut është kryer për të faktuar nëse mjeku Prifti ka operuar mamanë e sekretares së gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi, ashtu siç prokurorët e kanë konstatuar në përgjime.  

Krahas denoncimeve në SPAK, ndaj mjekut Prifti kanë nisur hetimet dhe nga prokuroria e Tiranës, për të cilin ka patur një denoncim nga QSUT-ja. Një paciente ka ngritur pretendime se kardiokirurgu kryente transferime të pacientëve nga sektori shtetëror për në privat. Po ashtu prokuroria është duke verifikuar dhe një tjetër denoncim të një qytetari i cili e akuzon Edvin Priftin për mjekim të pakujdesshëm, duke shkaktuar vdekjen e të afërmit të tij, në një prej spitaleve private ku ai punonte.

Edvin Prifi gjatë operacionit për arrestimin e zyrtarëve të Krujës, iu caktua masa e pezullimit nga detyra, por pasi policia gjeti në banesën e tij dhe në zyrë 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, mjekun e arrestuan në sallën e gjyqit. Ai do përgjigjet për dy akuza, atë të korrupsionit dhe të pastrimit të parave.  

Klan News