Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale është shprehur se në portalin shqiperiaqeduam.al janë adresuar mbi 7 mijë shqetësime të qytetarëve. Kreu i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve që kanë ankesa t’i drejtohen këtij kanali, përmes të cilit tha se janë ndihmuar shumë qytetarë.

Rama bëri thirrje për durim, ndërkohë që u shpreh se shqetësime të mëdha ka pasur edhe nga qytetarë jashtë Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë mbetur në vende të huaja prej situatës.

Kreu i qeverisë deklaroi se edhe në Këshillin e Sigurisë të mërkurën është diskutuar kjo çështje dhe u shpreh se po ndiqet në mënyrë intensive nga Presidenca. Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të bllokuar jashtë vendit që të përdorin këtë kanal urgjence në portal që të identifikohen nga shteti.

“Edhe dje në Këshillin e Sigurisë sëbashku me Presidentin e kemi ndarë këtë shqetësim. Edhe Presidenca është përfshirë në një bashkëpunim intensiv me Ministrinë e Jashtme po ashtu edhe me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës që mbulon transportin. Aktualisht janë të identifikuar dhe të listuar si rezultat i ankesës, shqetësimit 2163 shtetas. Kush dëgjon dhe ndjek këtë komunikim i lutem që të sigurohet që të identifikohet përmes kanalit të urgjencës që kemi në këtë platformë”.

Nga ana tjetër ai u ktheu përgjigje edhe shqetësimeve se pse ambasadat nuk hapin telefonat për qytetarët. Sipas Ramës, ata janë shumë të zënë dhe në raste të caktuara nuk mund të përgjigjen.

Numri më i madh i personave të bllokuar është në Itali tha Rama, ku shumë shpejt do të bëhet e mundur tërheqja e tyre.

“Numri më i madh ndodhet në Itali. Atje kemi pasur situatë të veçantë sepse ka kusht testimet që të nxjerrë jashtë të huajt. Kemi Kroacinë 341 persona të cilët do t’ju lehtësojmë procedurën dhe mund të vijnë në rrugë automobilistike, po ashtu. Nuk është mbrapa diellit për fat të mirë. Angli 114, Greqia ka 45 dhe pastaj një sërë vendesh që kanë numra më të vegjël”, tha Rama, i cili u shpreh se janë tërhequr qytetarë nga Spanja, Gjermania dhe Rumania./tvklan.al